
Zbulohet monstra e Laprakës, Policia shpëton 10-vjeçarin e dytë pas rrëmbimit.
Dëshmia në Polici: “Julianin e vrava më 30 nëntor” 2 orë pas rrëmbimit, trupin e hodha në një kazan plehrash.
Drejtori Çaushaj: Po kërkojmë trupin e 11-vjeçarit të vrarë.
Familja denoncoi të shtunën, policia e gjen fëmijën tek Ardian Prrenjasi.
Pedofili merr peng dhe përdhunon 10-vjeçarin.
I kërkoi t’i blinte cigare, e futi me forcë në banesë.
Ardian Prrenjasi, 45-vjeçari i arrestuar për rrëmbimin dhe përdhu-nimin e djalit 10 vjeç të gardianit të bu-rgjeve, ka pranuar dje në Polici vrasjen e djalit të zv.drejtorit të Antiterrotit të SHISH, Skënder Çela. Dëshmia e maniakut 45-vjeçar ka zgjidhur dje misterin e zhdukjes së 11-vjeçarit Julian Çela, i cili humbi gjurmët më 30 nëntor 2012. “E kam vrarë ditën që e rrëmbeva pasi bërtiti dhe bëri zhurmë në banesë”, ka thënë punonjësi i një kompanie private të pastrimit në Tiranë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Ardian Prrenjasit në Laprakë, pas arrestimit të tij për rrëmbimin dhe abuzimin seksual me një të mitur, Policia zbuloi edhe disa gjurmë e rroba, që dyshohej se i përkisnin Julian Çelës. Nisur nga këto shenja, grupi hetimor u përqendrua te zhdukja e 11-vjeçarit gjatë seancës së marrjes në pyetje të 45-vjeçarit që është pyetur rreth zhdukjes së të miturit tjetër, në po të njëjtën zonë. Pas 2 orësh marrje në pyetje, Ardian Prrenjasi ka pohuar se është ai autori i rrëmbimit, vrasjes dhe fshehjes së kufomës së djalit të zyrtarit të SHISH. “Gjatë një pune intensive, Policia grumbulloi prova të mjaftueshme dhe të pakontestueshme se shtetasi Ardian Prrenjasi është autor i dyshuar i vrasjes dhe më pas zhdukjes së trupit të të miturit J. Çela, 11 vjeç, i deklaruar i humbur më datë 30 nëntor 2012. Po vazhdon puna për gjetjen e trupit të miturit J. Çela”, deklaroi në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj.
DESHMIA E AUTORIT
Pasi ka shpjeguar rrethanat e rrëmbimit dhe përdhunimit të 10-vjeçarit A. Cani, autori i ngjarjes Ardian Prrenjasi ka shpjeguar edhe ngjarjen e rëndë të rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së kufomës së Julian Çelës, 11 vjeç. “Edhe me Julianin kam vepruar në të njëjtën mënyrë. I kërkova të më blinte një paketë cigare dhe, kur erdhi të ma sillte, e futa brenda në shtëpi. Por ai filloi të bërtiste dhe nuk më bindej të pushonte”, ka shpjeguar autori. I pyetur nëse kishte abuzuar seksualisht me të miturin Çela, ai ka mohuar duke u shprehur se, “Për shkak se ai nuk po më bindej, bërtiste dhe nuk pranonte në asnjë formë që të kryeja marrëdhënie seksuale, unë e kam vrarë, rreth 2 orë pasi e kisha futur në shtëpi. Theksoj se nuk e njihja më parë”. Pas vrasjes, ai e ka mbështjellë trupin e viktimës me një batanije dhe kam pritur një moment të përshtatshëm për të fshehur kufomën. “Trupin e kam hedhur në një kazan plehrash, pranë zonës ku banoj dhe kam pritur momentin kur makinat e plehrave të vinin për të pastruar. Deri në momentin kur makina e mbeturinave ka ardhur, ka zbrazur kazanin e plehrave brenda saj dhe është larguar, unë kam qëndruar në këmbë, duke parë këtë veprim nga trotuari. Më pas kam hyrë prapë në shtëpi”, ka deklaruar i arrestuari, duke mos shpjeguar ku ka përfunduar trupi i 11-vjeçarit. Ai nuk ka arritur të japë një shpjegim të saktë për vendin se ku mund të jetë kufoma e 11-vjeçarit, duke u shprehur se makina e plehrave mund ta ketë hedhur në vendin e grumbullimit të plehrave, në Sharrë.
KERKIMET PER TRUPIN
Pas dëshmisë tronditëse të autorit të dyshuar për vrasjen e Julian Çelës, të gjitha strukturat e Policisë së Tiranës janë angazhuar për gjetjen e trupit të viktimës. “Menjëherë u krijua grupi hetimor për drejtimin e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistë të strukturave të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Drejtorisë së Tiranës, si dhe specialistë të Seksionit të Krimeve të Hapura në Komisariatin e Policisë Nr.3 Tiranë. Vazhdojmë kërkimet për gjetjen e trupit të 11-vjeçarit Çela”, deklaroi drejtori Çaushaj. Përgjatë gjithë natës së mbrëmshme, janë kryer kontrolle te vendi i grumbullimit të plehrave në Sharrë për gjetjen e trupit të Julian Çelës./albania24.info/