18.3.13

Tronditet familja, vëllai i pedofilit: Të dënohet me vdekje



PRRENJAS- Edhe pse e dinin që djali dhe vëllai i tyre kishte shfaqur shenja pedofilie që 15 vjet më parë, familja e Ardian Prrenjasit është shokuar kur mësoi nga mediat për krimin monstruoz ndaj fëmijës 11-vjeçar Julian Çela dhe përdhunimin e një tjetër fëmije.
Besnik Prrenjasi, vëllai i vogël i Ardjanit, jeton bashkë me gruan dhe vajzën e vogël në katin e dytë të një pallati në qytetin e Prrenjasit. Ai është mjaft i tronditur për krimin dhe i kërkon shtetit që ta vrasë vëllain e tij.

Si e mësuat se vëllai juaj akuzohet për pedofili dhe vrasje?
Isha në shtëpi. Bashkëshortja mësoi lajmin nëpërmjet televizorit dhe më tha se çfarë kishte ndodhur. Nuk e di, por e ndjeja se diçka do të kishte bërë, edhe pse kishim 15 vjet që e kishim bërë lanet, si unë edhe dy vëllezërit e tjerë, motra dhe prindërit.

Ju ishit në dijeni të prirjes ndaj pedofilisë së tij?
Që kur u kthye nga Ushtria ai u tjetërsua si njeri. E shihnim herë-herë të shqetësuar dhe në të shumtat e rasteve bëhej i pakuptueshëm. Më pas mësuam se ai ishte pedofil. Shkoi në Greqi, dhe para se të shkonte shfaqte shenja depresioni. Jam i sigurt që kishte probleme mendore, sepse këtë na e thoshin edhe mjekët në ato vite. Por, shokimi më i madh ishte kur mësuam se në Greqi u dënua me katër vite burg për pedofili.

Si e pritët lajmin dhe a e pranuat më pas Ardianin në shtëpi?
As që bëhet fjalë. Atëherë ishte i martuar, por gruaja e la sapo mësoi që ai ishte dënuar për pedofili. Ai na turpëroi, aq sa ne nuk dilnim dot nga shtëpia.

Ku u vendos pasi u kthye nga Greqia?
Në Tiranë, sepse ne nuk e pranuam në shtëpi. Atje nuk e di se çfarë bënte. Hera e fundit që e takova ishte një vit më parë. Kishim një gëzim familjar dhe të afërmit më thanë që ta ftonim. Kishte gjetur një vajzë tjetër që prej një viti e gjysmë dhe bashkëjetonte. Por, ne nuk mundëm dot ta falnim.

Po në Prrenjas a ka pasur probleme pedofilie Ardjani?
Kam dëgjuar se dyshohej për katër raste të tilla këtu në qytet. Me të dëgjuar e kam se njëri nga rastet është denoncuar, por nuk e di pse nuk e dënuan. Për mua ta kishin dënuar e ta kishin vrarë, sepse Zoti na ruajt kemi fëmijë vetë.

A do të shkoni ta takoni ndonjëherë në burg?
As që bëhet fjalë, ai tashmë nuk është vëllai ynë. Ai duhet të vritet ose të kalbet në burg. Mori në qafë fëmijët e pafajshëm/albania24.info/