
Djali 10-vjeçar A. C., që u rrëmbye, u dhunua dhe u kërcënua nga i arrestuari Ardian Prrenjasi fundjavën e kaluar, ka biseduar me familjarët e tij duke u treguar gjithçka që kishte ndodhur. Ai ka treguar për të afërmit veprimet që ka kryer ndaj tij pedofili 45-vjeçar brenda shtëpisë ku u mbajt i izoluar jashtë dëshirës së tij.
Një i afërm i 10-vjeçarit tregon se djali tani është shumë mirë, madje dje ka këmbëngulur që të shkonte në shkollë. Pa hyrë në detaje, i mituri ka shpjeguar të gjitha veprimet kërcënuese dhe bisedat që ka pasur me 45-vjeçarin Prrenjasi. Ai u ka thënë të afërmve që i ka dëgjuar shumë mirë kur e thërrisnin dhe e kërkonin gjatë gjithë natës, por kishte frikë të përgjigjej, sepse Prrenjasi i thoshte se do ta varte dhe i tregonte çarçafin dhe thikën.
“Unë ju kam dëgjuar shumë mirë, sepse dritarja e banjës ishte e hapur. Kisha frikë të flisja. Kisha frikë edhe të qaja apo të kërkoja ndihmë, sepse ai mbante thikën në dorë”, ka treguar 10-vjeçari. Ai madje ka shpjeguar me hollësi se te dera e banjës së banesës së Prrenjasit, e cila është ngjitur me avllinë e shtëpisë dhe përballë shtëpisë ku ai jeton me prindërit, autori kishte varur një çarçaf. E kishte përdredhur, e kishte bërë lak dhe e kishte varur në një vend sipër derës së banjës, ndërsa vazhdimisht mbante një thikë në dorë. “Ndonjëherë fliste në telefon, nuk e di se me kë, por e dëgjoja që thoshte se po bëhej gati dhe kur t’i merrte ai duhej të vinin”, ka treguar 10-vjeçari.
TELEFONATAT
Sipas të miturit, autori i thoshte se do të iknin në Greqi, madje po bënte edhe një çantë të madhe gati. Vetë djali i dëmtuar u ka thënë familjarëve të tij se kur fliste në telefon, nuk e dinte se më kë, por bëhej fjalë për të ikur diku. “Aty afër meje kishte nxjerrë një çantë të madhe dhe po fuste disa gjëra brenda. Më tha që ai do ikte përpara dhe pak më vonë do vinin të më merrnin mua disa persona. Por më kërcënonte vazhdimisht të mos nxirrja asnjë zë, duke më thënë që nëse qaja, flisja apo kërkoja ndihmë, do të më vriste”, ka rrëfyer i mituri.
Më fjalët e tij, edhe pse të një fëmije të vogël dhe të pafajshëm, 10-vjeçari ka shpjeguar edhe 2 telefonata pa numër që autori i ka bërë babait të tij, Sajmir Canit. I afërmi i të miturit na tregoi dje se Sajmirin e kishin telefonuar 2 herë me anonim, në një rast telefoni kishte qëndruar hapur rreth 20 sekonda dhe personi që e merrte nuk fliste. Por ata nuk e dinin se kush telefononte. Këto telefonata i ka justifikuar disi djali i mitur, i cili i ka thënë të atit që i ka telefonuar ai burri që po e mbante me forcë në shtëpi.
Sipas të afërmit të djalit, telefonatat mund të jenë kryer nga autori për të hutuar prindërit e të miturit. Megjithatë, qëllimi real i atyre telefonatave ende nuk mund të shpjegohet si për familjarët, si për grupin hetimor, që ende nuk e ka verifikuar nëse janë kryer nga autori Prrenjasi apo jo. Veç rrëfimit për atë që kishte ndodhur brenda shtëpisë së fqinjit, i mituri i ka sqaruar familjes edhe momentin kur është gënjyer dhe më pas është mbajtur me forcë në shtëpi nga autori./albania24.info/