3.3.13

Kontrabandë sperme: Palestinezët bëhen baballarë nga burgjet


Shumë gra palestineze arrijnë të kapërcejnë çfarëdo muri apo pengese drejt amësisë, duke shfrytëzuar vetëm dinakërinë dhe një enë të fshehtë për të marrë spermë nga meshkujt e tyre të burgosur në burgjet izraelite. Kontrabandën e spermës ua ka sugjeruar një mjek
Tel Aviv. Ky është, padyshim, një prej tregimeve më të pazakonta të burgjeve që e keni dëgjuar apo lexuar ndonjëherë: një aventurë bajagi e guximshme, në të cilën një grup femrash të reja dhe këmbëngulëse arrijnë t’ia hedhin njërit prej regjimeve më të rrepta të sigurisë në botë. Ato janë gratë e të burgosurve palestinezë që mbahen në burgje izraelite – pa të drejtën për takime intime bashkëshortore – të cilat thonë se megjithatë janë lënë shtatzënë nga burrat e tyre të burgosur.
Ky nuk është një rast i gjërave të zakonshme që futen kontrabandë në burgje për t’ua lehtësuar pakëz jetën të burgosurve. Është gjëja që nxirret kontrabandë që ka rëndësi – gjëja e vetë jetës.
Shumë njerëz mendojnë se tregimi është më i ndërlikuar, por femrat këmbëngulin se ato arrijnë të kapërcejnë çfarëdo muri apo pengese drejt amësisë, duke shfrytëzuar vetëm dinakërinë dhe një enë të fshehtë. Faridah Ma’arouf ka qeshur teksa ka kujtuar largimin e saj me vrap nga portat e burgut, pas përfundimit të ditës së vizitave, me një enë të fshehur me spermën e të birit të saj.
“Ne kishim një taksi që na priste jashtë për të na larguar shpejt nga aty”, ka thënë ajo. “Mendoja se enën duhej t’ia dërgoja mjekut shpejt”, ka treguar Ma’arouf tre muaj më vonë, teksa qëndronte brenda një klinike të fekondimit artificial, ku po bëhej monitorimi i shtatzënisë së të resë së saj.
Kontrabanda e spermës së të burgosurve për fekondim artificial mund të konsiderohet ide e mjekut Salim Abu Khaizaran, shef i Qendrës Mjekësore për Shterpësi dhe Fekondim Artifical “Razan”, në qytetin palestinez të Ramallahut, në Bregun Perëndiumor. “Ne jemi duke e bërë këtë për t’u ndihmuar këtyre zonjave, sepse si mjekë vlerësojmë se gratë e të burgosurve paguajnë një çmim shumë të lartë”, ka deklaruar Abu Khaizaran, pa treguar se sa procedura të tilla ka kryer.
“Gruaja e një të burgosuri duhet të presë burrin e saj, nganjëherë mund të kalojë rininë e saj të mirë vetëm duke pritur. Dhe, derisa të lirohet burri i saj, ajo nuk mund të bëjë bebe”, ka thënë ai.
Shumë prej të burgosurve janë të dënuar me burgim afatgjatë për krime terroriste. Ammar Al-Zibben ndodhet në burg qe 16 vjet. Ai po vuan 27 dënime me burgim të përjetshëm, si dhe 25 vjet të tjerë shtesë për planifikimin e sulmeve me bomba në Jerusalem, që kanë vrarë 21 njerëz.
Ai së fundmi është bërë baba i një djali, të quajtur Mohannad, i cili është vetëm shtatë muaj. Gruaja e tij, Dalal, 32-vjeçare, ka thënë se ideja për fekondim artificial ka qenë e burrit të saj. Ajo kishte pritur kundërshtime nga familja dhe miqtë në komunitetin e saj konservator. “Unë jam befasuar shumë kur ata më kanë mbështetur fort”, ka treguar ajo. “Të gjithë më kanë thënë të shkoja ta bëja atë, dhe të mos ia mohoja vetes dhe burrit të drejtën tonë për të krijuar familje”.
Burri i saj i burgosur ka arritur që ta shohë të birin e tij për herë të parë gjashtë muaj më parë. “Jemi lumturuar, jemi pikëlluar, jemi ngazëllyer gjatë takimit. Ka qenë takim me shumë ndjenja të përziera dhe me lot, nuk mund ta përshkruaj se si jemi ndier të dytë”, ka thënë ajo. “Unë pata sakrifikuar gjithçka kur burri im ishte arrestuar”, ka treguar Dalal. “Tani mua më është dhënë mundësia që t’i realizoj ëndrrat e mia, që ta kem familjen që gjithmonë e kam dashur. Tani ne do ta presim burrin tim që të dalë dhe të na bashkohet neve”, ka përfunduar ajo./albania24.info/