Ngjyrosja e flokëve në shtëpi kushton shumë më lirë, sesa që, për një imtësi të tillë, të shkoni te floktari. Natyrisht, kur duhet të ngjyrosni tërë flokët, më mirë është që këtë ta bëjë ndonjë ekspert, por kur bëhet fjalë për ngjyrosjen vetëm të rrënjëve të flokëve, këtë mund ta bëni edhe vetë ju.
Përcaktohuni për një stil që mirëmbahet lehtë
Sa më të shkurtër që i keni flokët, aq më shpesh do t’ju duhet që t’i preni ata, gjë që nënkupton harxhime më të mëdha. Por, nëse keni flokë mesatarisht të gjatë, apo të gjatë, atëherë mund t’i ikni prerjes së flokëve të paktën tre muaj dhe vetëm kohë pas kohe të shkurtoni majat e flokëve.
Ambalazhe më të mëdha
Në qendrat tregtare mund të gjeni produkte për flokë në ambalazhe më të mëdha, të cilat kanë një çmim më ekonomik. Kështu, përpos që do të harxhoni më pak, nuk do të jeni të detyruar që të hiqni dorë nga produktet tuaja të preferuara.
Mos blini produkte të shtrenjta
Të gjithë ne kemi produktet tona të preferuara dhe për të cilat nuk na dhimbsen paratë. Por, mundohuni që të gjeni alternativa më të lira, të cilat nuk janë gjithmonë të këqija. Në vend të maskarës për sy që kushton 30 euro, blini atë që kushton 5 euro dhe që e ka efektin e njëjtë.
Blini parfumet pa alkool
Parfumet që përmbajnë alkool zakonisht shumë shpejt e humbin aromën e tyre, për dallim nga ato që përmbajnë vaj. Kjo ndikon që parfumet me alkool t’i qitni më shpesh dhe të harxhoni më shumë. Nëse doni që parfumi juaj të qëndrojë më gjatë, atëherë blini parfum që nuk përmban alkool.