7.2.13

Çiljeta: Fernando Chris, dhurata më e bukur që mund të merrja


E marta e 5 shkurtit i ka dhuruar asaj emocione të jashtëzakonshme… Zoti vendosi që ta bekonte me një fëmijë, pikërisht në ditën e lindjes së saj. Çiljeta Xhilaga, këngëtarja e dashur e skenave shqiptare është bërë nënë e një djali shumë të bukur, të cilin siç rrëfeu disa javë më parë në “Bluetooth” e quajti Fernando Chris.
Si në Çdo lindje VIP, ne ishim aty për ta uruar nga afër mamin më të re të show biz-it dhe për t’i shkëputur ndjesitë që i ka falur ky status i ri jetësor. Gjithë spitali e di për lindjen e saj, edhe punonjësit e sigurisë madje. Në recepsion na njoftojnë se dhoma e këngëtares gjendet në katin e tretë, aty ku është pavijoni i lindjeve. Nuk është fare e vështirë ta gjesh dhomën e Çilit. Lulet dhe tullumbacet ngjyrë blu na e bëjnë më të lehtë orientimin, për më tepër që në korridor janë vendosur në radhë shumë prej miqve të saj. Dhoma është plot dhe kur ne shkuam, Çili sapo kishte marrë në krahë të voglin e saj. “Buzët i ka si të miat”, merr veten me të mira këngëtarja, sepse siç pranon më vonë, Fernando është kopje e të atit.
“Ishte shkruar që Zoti të më bënte femrën më të lumtur në botë, ditën e lindjes sime. Kisha planifikuar një datë tjetër për operacionin, po ky ‘gangsteri’ (kthen sytë nga i biri) vendosi vetë kur të vinte. Fiks tri minuta përpara se ora të shënonte 00:00, për të kaluar në datën 6 shkurt pastaj”, thotë më tej këngëtarja, e cila na zbulon se djali peshon 3 kilogramë e 300 gramë dhe se gëzon shëndet të plotë, ashtu si kundër ajo. 28-vjeçarja seksi rrëfen më tej se kurrë më parë nuk i kishte rrahur zemra aq fort për një njeri sa për të voglin, ‘madje as për Tomason’, thotë ajo duke qeshur, ndërsa na tregon se i ati i djalit e ka kaluar natën bashkë me të në maternitet. Stafi i “Gazeta Shqiptare” uron që Fernando Chris të ketë jetë të gjatë dhe të lumtur që t’i gëzojë prindërit e tij çdo ditë, ashtu siç ne e gjetëm Çiljetën dje.