5.3.13

Ushtarët amerikanë përgatiten për misionin e ri në Kosovë


Ushtarët amerikanë me mision të ri në Kosovë
Një ekip me ushtarë amerikanë po përgatitet të vijë në Kosovë. Ekipi planifikon të arrijë në këtë pranverë dhe do të përbëhet prej qindra ushtarëve.
Ata me selitë e Brigadës 525 dhe Skuadronin e Parë të Regjimentit të 38-të të Kalorësisë, do të vijnë këtu.
kur ushtarët e Brigadës 525 të Monitorimit të Fushës së Luftës do të dërgohen këtë vit jashtë vendit, do të jenë në një mision krejtësisht të ndryshëm prej atij që presin.

Qindra ushtarë me selitë e Brigadës 525 dhe Skuadronin e Parë të Regjimentit të 38-të të Kalorësisë, do të dërgohen këtë pranverë në Kosovë, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Misioni në Kosovë është harruar nga publiku amerikan për shkak të mbetjes në hije të luftërave në Afganistan dhe Irak, ku ishin dërguar ushtarë të Gardës Kombëtare dhe rezervistë të ushtrisë.
Kur Brigada 525 do të dërgohet në Kosovë për të marrë komandën e Grupit Multi-nacional të Lindjes, ky besohet se do të jetë njësiti i parë aktiv ushtarak që do të marrë komandën pas pothuajse një dekade.
“Ishte menaxhuar kryesisht nga forcat e Gardës dhe të Rezervistëve, që kishin bërë një punë të mahnitshme”, ka thënë koloneli Xavier Brunson, komandant i Brigadës 525.
Brunson, një vendës i Fayetteville, nuk do të dërgohet në mision me brigadën e tij. Ai do t’ia dorëzojë komandën kolonelit Dave Woods në një ceremoni në mars.
Por ai kishte mbikëqyrur ushtrimet e misionit dhe ka thënë se Kosova do të përbëjë sfida për brigadën, që në fillim ishte përgatitur për mision në Afganistan, ku po shërbejnë dy prej batalioneve të brigadës – batalionet 319 dhe 519.
“Do të jetë një gjendje e re mendore”, ka theksuar ai.

Ndryshe prej Afganistanit, në Kosovë nuk do të përballen me luftime të ashpra, ka thënë Brunson. Në vend të kësaj, ushtarët e tij do të punojnë me zyrtarët lokalë për të ndihmuar në sigurimin e lirisë së lëvizjes ndërmjet enklavave etnike.
“Si mund t’i ndihmojmë ata?” ka pyetur Brunson. “Ne mund të mos jemi prijës. Ne mund të jemi informues. Ne duam të sigurojmë se është e sigurt dhe pa asnjë rrezik që njerëzit të shkojnë kudo që duan”.
Kosova është një shtet relativisht i ri në Gadishullin Ballkanik në lindje të Evropës, në veri të Greqisë. Kosova e ka deklaruar Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Prania amerikane në këtë vend daton qysh në vitet nëntëdhjetë, kur forcat e NATO-s dhe shtete e tjera partnere dërguan një forcë paqeruajtëse për t’i shuar tensionet ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në një moment, forcat e huaja në Kosovë kishin kaluar shifrën prej 50 mijë trupash, kanë bërë të ditur zyrtarët. Tani ndodhen vetëm 5.600 ushtarë.
Brunson, i cili ka qenë në mision në Kosovë në fund të viteve nëntëdhjetë, ka thënë se shumëçka ka ndryshuar pas një dekade.

Këtë e kishte parë me sytë e tij, kur kishte vizituar në fillim të këtij viti Kosovën për të përgatitur dërgimin e ushtarëve në mision.
Brunson ka thënë se ishte duke u përgatitur për të dalë prej bazës së NATO me zyrtarë të tjerë, kur kishte vënë helmetën dhe jelekun antiplumb. Zyrtarët i kishin thënë se nuk ishte e nevojshme ta bënte një gjë të tillë.

“Gjendja ka ndryshuar shumë”, ka theksuar Brunson, duke treguar se afër selisë së NATO-s në Prishtinë po zhvillohej biznes i suksesshëm. “Mbaj mend se dikur nëse kthehesha pa rënë terri, do të mund të hasje në telashe”.
Situatë krejtësisht e ndryshme.

Por tani, “konflikti nuk është i dukshëm”, ka theksuar Brunson. “Njerëzit po merren me jetën e tyre”.
Një ndryshim tjetër është bashkëpunimi ndërmjet shteteve, ka treguar Brunson.

Kur Brigada 525 të arrijë në Kosovë, do të punojë bashkë me ushtarë armenë, gjermanë, marokenë, polakë, turq dhe ukrainas.
Në vitin 1999, kur Brunson kishte shërbyer në Kosovë, shumë prej shteteve kishin ushtarë në mision, por nuk kishte bashkëpunim të madh.
“Secila forcë ishte një ishull”, ka thënë Brunson. “Tani gjithçka është globalizuar”./albania24.info/