Shaban Norja nuk e ka vendin asgjëkundi. Në shtëpi, jo; në fshat jo, por as edhe në qelitë e burgut. Vrasja makabre e 18-vjeçares Aishe Vata nga fshati Xhafzotaj i Durrësit ka indinjuar jo vetëm njerëzit që respektojnë ligjin, por edhe ata që akuzohen për vrasje, grabitje, trafik droge e femrash etj. Dërgimi në para-burgimin e Durrësit të 80-vjeçarit që la shtatzënë adoleshenten me origjinë nga Kukësi dhe që para pak ditësh i preu kokën në një arë me misër ka shkaktuar revoltë tek 250 të paraburgosur. “Plaku monstër të zhduket nga faqja e dheut. Nuk e duam që qelitë tona! Ta dërgojnë ku të duan, të mos rrijë këtu me ne!”. Kështu kanë deklaruar të paraburgosurit, të cilët u kanë kërkuar drejtuesve të këtij institucioni që të marrin masa për largimin sa më parë të të moshuarit, që është cilësuar publikisht si maniak seksual. Reagimi i ashpër dhe i prerë i personave që ndodhen në qelitë e paraburgimit ka përcjellë frikë tek Norja, i cili nuk ka dalë nga qelia e tij as në orarin e ajrimit. Burime të besueshme nga Paraburgimi i Durrësit bëjnë me dije se ekzekutori i Aishe Vatës, mëngjesin e djeshëm, kur u zgjua, kishte “mbushur pantallonat”.
TË PARABURGOSURIT
Pas përfundimit të seancës gjyqësore të zhvilluar pasditen e së mërkurës dhe ku u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg”, Shaban Norja është dërguar me një furgon policie tek Paraburgimi i Durrësit. Burime nga ky institucion pohojnë se 80-vjeçari është caktuar në një qeli që është e veçuar nga të tjerat, në katin e parë. Ai ruhet nga punonjës policie gjatë 24 orëve. Është pak të thuhet që Norja është pritur keq nga të paraburgosurit e tjerë. Këta të fundit kanë reaguar njëzëri, duke u kërkuar drejtuesve të paraburgimit largimin e menjëhershëm të plakut monstër. “Sapo morën vesh se Shaban Norja do të rrinte në këtë institucion, të paraburgosurit e tjerë që akuzohen për kryerjen e veprave të ndryshme penale u treguan të prerë. Asnjëri prej tyre nuk pranoi që 80-vjeçarin ta kishte në dhomë. Nisur nga kjo situatë si dhe për të shmangur ndonjë incident në ambientet e paraburgimit, kemi kërkuar që Norja të mos qëndrojë në këtë institucion deri në përfundim të hetimeve, por të dërgohet në një institucion tjetër.
-->
Meqenëse për ngjarjen e Xhafzotajt po heton edhe Drejtoria e Krimeve të Rënda, 80-vjeçari duhet të dërgohet në Tiranë”, shprehen drejtues të Paraburgimit në Durrës. Ndërsa, sqarojnë se për të mos lejuar daljen e situatës jashtë kontrollit, plakun vrasës e kanë caktuar në një qeli të veçantë në katin e parë, ku nuk ka shumë lëvizje.
SHABAN NORJA
Burime nga Paraburgimi i Durrësit thonë se të akuzuarin për vrasjen e 18-vjeçares Aishe Vata nuk e ka vizituar asnjë prej të afërmve të tij. Sipas këtyre burimeve, dje në mëngjes, kur është ngritur nga gjumi, Shaban Norja kishte kryer nevojat personale në pantallona. Asnjë prej të afërmve nuk i ka sjellë rroba për t’u ndërruar dhe kjo i ka vënë në vështirësi punonjësit e paraburgimit për t’i siguruar veshjen 80-vjeçarit. Mësohet se paraditen e djeshme Norja është vizituar nga psikiatrja e burgut, sociologu si edhe edukatori përgjegjës dhe është hapur edhe dosja psiko-sociale e tij. Gjithashtu, Norja është vizituar edhe nga mjekët, të cilët shprehen se gjendja e tij shëndetësore është në parametra normal. Gjatë gjithë kohës, i moshuari ka qëndruar i vetëm në qeli, nuk ka folur me punonjësit, ka ngrënë drekën dhe nuk ka shfaqur pendesë. Ai nuk ka dalë për ajrim jashtë dhomës së tij, ku ruhet nga gardianët.