I pari që ka trokitur seriozisht për të investuar tek zikaltërit është miliarderi indonezian, Erick Thohir. Moratti i ofroi fillimisht 25 për qind të aksioneve, më pas 30. Por Thohir mbeti i pakënaqur, oferta e tij ishte për blerjen e 80 për qind të aksioneve, si fillim e më pas u rrit në blerjen 100 për qind të tyre.
Përballë kësaj oferte, Moratti u vendos në dilemë, të shesë skuadrën me të cilën ka lidhur veten prej shumë vitesh, qysh prej kohës kur ia trashëgoi i ati, apo të vazhdojë ta mbajë atë, duke e privuar nga investimet e domosdoshme për të konkuruar rivalët, sidomos në arenën ndërkombëtare.
Bisedimet Moratti-Thohir vazhduan prej javësh. Presidenti zikaltër refuzon të heqë dorë nga roli primar në skuadër, ndërsa miliarderi indonezian kërkon më shumë. Në fund të majit, në Milano u mbajt takimi i parë mes Thohir dhe Morattit. Ky i fundit i propozoi miliarderit indonezian deri në 40 për qind të aksioneve. Në qershor qendrimet e palëve ishin shumë larg, ndërsa së fundmi as nuk flitet fare më.
Mediat italiane thonë se pavarësisht “qetësisë” së momentit, oferta e Moratti për shitjen e një pjese minorancë të aksioneve, që nuk do t’i preknin atij të drejtën e vendimmarrjes, qendron ende. Por nëse s’do të ketë asnjë investitor që do të afrohet, cfarë do të ndodhë?
Përgjigjja është e thjeshtë. Po të analizosh merkaton e Interit, sidomos afrimin e trajnerit Mazarri, ristrukturimin e shoqërisë dhe investimet e kryera deri më tani nga Moratti, mund të thuhet me plot gojë se presidenti i zikaltërve nuk do të tërhiqet…s’mund ta bëjë këtë kur sapo ka ristrukturuar thuajse gjithë pjesën organizative të skuadrës.