Për shkak të problemeve dhe pakënaqësive të mëdha, shqiptarët e Luginës së Preshevës, të shtunën në mesditë pranë Kuvendit Komunal në Preshevë, kanë mbajtur një protestë gjithë popullore. Në vendin e njëjte ku ka qenë lapidari i hequr nga Qeveria serbe është ngritur edhe flamuri i Republikës së Kosovës, njofton Presheva Jonë.
Një nga arsyet për mbajtjen e protestës ishte edhe largimi i lapidarit të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nga qendra e qytetit në Preshevë.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, veç tjerash, ka kërkuar nga autoritete në Serbi, që të zbatojnë standardet e njejta për shqiptaret në Luginë ashtu siç bëjnë autoritet kosovare për serbët në Kosovë.
“Nga ky manifestim protestues i bëjmë thirrje qeverisë serbe që të zbatojnë të njëjtat standarde që i aplikojnë dhe që i lejoi kryeministri Hashim Thaçi për serbet në veriun e Republikës së Kosovës, sepse nuk e ka as kuptimin me të vogël ndërtimi i standardeve të dyfishta të dy shteteve fqinjë për pakica nacionale të ndryshme”, tha Mustafa.
Kurse, përfaqësuesi tjetër i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Nagip Arifi, i cili është edhe Kryetar i Komunës në Bujanoc, ka kërkuar lirimin e të burgosurve shqiptare, që janë në burgjet serbe e që mbahen me pretendimet se atë kanë bërë krime lufte.
“Sot po kërkojmë drejtësi, sot po kërkojmë liri për vëllezërit tanë të cilët do t’i hasim edhe njëherë ditën e Hënë në Gjykatën e Apelit në Beograd. Andaj kërkojmë lirimin e tyre, sepse ata ishin personat që më së shumti e deshën lirinë në këto troje. Lirim i menjëhershëm për vëllezërit tanë që gjenden në burgun e Beogradit”, tha Arifi.