12.5.13

Inter ndalet ne barazim, Fiore shpreson ende


Siena, Palermo dhe Pescara janë tri skuadrat që do të largohen nga Serie A në fund të këtij sezoni, pasi ndeshjet e mesditës në kampionatin italian kanë sqaruar gjërat një javë pa përfunduar sezoni. Fiorentina nga ana tjetër vazhdon të ketë gjasa për Ligën e Kampionëve.

 Fiorentina u tregua shumë e fortë për Palermon në Artemio Franchi. Pjesa e parë i takoi plotësisht Violas, por u realizua vetëm një gol nga Luca Toni, i cili shfrytëzoi një krosim të mirë në zonë nga Cuadrado.
Në pjesën e dytë Palermo u mundua të barazonte dhe të mbante gjallë shpresat për të shpëtuar nga rënia në Serie B, por shiu i madh ndikoi në masë të madhe që ndeshja të përfundonte me rezultat 1-0.

Genoas i mjaftoi një barazim pa gola ndaj Interit në krizë. Gjenovianët sulmuan në pjesën e parë, por ishte Handanovic ai që ndaloi realizimin e golave për vendasit.
Në pjesën e dytë Interi luajti më mirë. Vlen të përmendet transverzalja e qëlluar nga Tomasso Rocchi. Në këtë ndeshje u paraqit edhe Antonio Cassano pas disa javësh mungesë.
Fiorentina me këtë fitore ka 67 pikë, një pikë më pak se sa Milani që sonte mbrëma takohet me Romën. Milani mund të sigurojë vendin e tretë me një fitore ndaj Romës, por rezultatet tjera do të bënin që dilema për vendin e tretë të vendosej në javën e fundit, kur Milani i shkon Sienas.

Palermo ka 32 pikë në vendin e 18-të, kurse Genoa ka 37 pikë në vendin e 17-të dhe një javë pa përfunduar kampionati italian Serie A dihen skuadrat që kalojnë në Serie B dhe ato janë: Palermo, Siena dhe Pescara. /albania24.info/