
Barcelona ka bërë rikthim sensacional duke e përmbysur avantazhin e Milanit nga ndeshja e parë, për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti katalunas fitoi me rezultat bindës 4:0 në Camp Nou sonte, duke e shkrirë avantazhin e Rossonerëve prej 2:0 nga ndeshja e parë e zhvilluar në San Siro tri javë më parë.
Lionel Messi ka treguar se përse është lojtari më i mirë në botë, duke shënuar dy gola të mrekullueshëm në pjesën e parë, kurse vulë këtij takimi i dha David Villa, i cili shënoi po ashtu një gol të bukur me të majtën. Në fund, katalunasit e shënuan golin e qetësisë me anë të mbrojtësit Jordi Alba.
Andres Iniesta e ka pasur një rast të mirë, duke e qëlluar tërthorësen në pjesën e parë, kurse Niang tek Milani e qëlloi shtyllën, në rastin për ta siguruar pothuajse kualifikimin.
Në duelin tjetër, të zhvilluar po ashtu sonte, Galatasarayt i mjaftoi barazimi 2:2 me Schalken në Gjermani, për ta bërë një vend në mesin e tetë ekipeve më të mira të Evropës. /Vetem Info/