5.3.13

Lajm i keq për United, Reali shënon gjithmonë si mysafir



Prej ardhjes së Jose Mourinhos në Santiago Bernabeu, Real Madridi nuk ka dështuar asnjëherë të realizojë gol në udhëtimet e tij në Ligën e Kampionëve, në seri prej 15 ndeshjesh të njëpasnjëshme.

Në prag të duelit të sontëm kundër Manchester Unitedit në Old Trafford, një statistikë e publikuar në uebfaqen zyrtare të Real Madridit i ka dhënë shpresë shtesë tifozëve madrilen. Prej ardhjes së Mourinhos, Reali asnjëherë nuk ka dështuar të shënojë gol si mysafir në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Në shtator 2010, Angel Di Maria ia siguroi Realit epërsinë 1-0 në Francë kundër Auxerre, në duelin e parë në udhëtim për ekipin e Mourinhos dhe prej atëherë ekipi ka regjistruar 15 takime si mysafir duke shënuar gol.

Të martën mbrëma, Reali do të synojë të vazhdojë serinë e golave në mënyrë që të kërkojë kualifikimin në çerekfinale të garës që ka fituar rekord nëntë herë. /albania24.info/