Mbështetje të plotë për Kosovën ka garantuar kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp me homologun e Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur pas takimit mes tyre, në Tiranë.
“E rëndësishme të theksohet se roli i Kosovës po forcohet gjithnjë e më shumë në rajon e më gjerë”- tha Berisha, njoftojnë medie nga Tirana.
Dy kryeministrat kanë diskutuar mes tyre zhvillimet aktuale politike në Kosovë, do të ritheksojnë forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, përmbushjen e plotë te agjendës evropiane nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë dhe tema të tjera me interes të përbashkët.
“E informova kryeministrin Thaçi për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe dinjitoz si dhe për vendosmërinë e qeverisë për një proces të civilizuar dhe të denjë. Gjithashtu e njoha me reformat që po ndërmerr qeveria në mënyrë që të përballojë krizën dhe të garantojë rritje ekonomike dhe punësimin e qytetarëve” tha Berisha.