Qytetarët e Serbisë duket se e kanë të qartë se Kosova nuk kthehet më nën Serbi. Në një anketë të bërë nga B92 dhe Ipsos Marketing Strategjik, ku janë anketuar 1003 qytetarë, 63 për qind e tyre vlerësojnë se Kosova tani de fakto është e pavarur, ndërsa e vetmja mundësi që i ka ngelur Serbisë, është lufta për një status më të mirë të Serbëve që jetojnë në Kosovë. Ndërsa 32 për qind ende besojnë se Kosova nuk është shtet i pavarur, dhe pjesa tjetër që nuk ka ndonjë mendim të qartë.
Në anën tjetër, qytetarët serb të anketuar, kur pyetën se më parë do të zgjidhnin Kosovën apo hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, shumica preferojnë të parën. 65 për qind të anketuarve kanë zgjedhur Kosovën para BE-së. Për 28 të të anketuarve anëtarësimi në BE është më i rëndësishëm se sa kthimi i Kosovës nën Serbi, ndërsa 7 për qind janë të pavendosur.
Anketa kryesisht është bërë rreth negociatave Kosovë-Serbi. Shumica e qytetarëve serb, mbi 61 për qind janë të pajtimit që negociatave t’u prijë kryeministri Ivica Daçiq.
Të anketuarit nuk besojnë se Bashkimi Evropian është neutral në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës. 78 për qind prej tyre nuk besojnë se ka neutralitet.
Ndërsa edhe më shumë se kaq, 86 për qind besojnë se Brukseli është duke ia mbajtur anën Kosovës në këto bisedime. /albania24.info/