5.5.13

“Super-bomba” anti-bunker e Pentagonit kundër Iranit



Uashington. Pentagoni ka përpunuar bombën më të fuqishme anti-bunker, Massive Ordnance Penetrator (MOP), deri në atë masë sa mund të shkatërrojë qendrën më të mbrojtur dhe më të sigurt nukleare të Iranit, qendrën e Fordowit, njofton “Wall Street Journal”. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ky përparim teknologjik është i atillë që e bind Izraelin që të mos intervenojë njëanshëm, pasi që Shtetet e Bashkuara kanë tani kapacitetet për ta penguar Iranin që të prodhojë bombë nukleare nëse diplomacia dështon.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli deri më tani ishin të shqetësuar për shkak se u mungonte kapaciteti teknologjik për ta shkatërruar kompleksin e pasurimit të uraniumit të Fordowit, që gjendet nën një mal afër qytetit iranian Qom, që gjendet 150 km në jugperëndim të Teheranit. Në janar 2012, zyrtarët amerikanë kishin vlerësuar se nuk besonin se MOP-i i tyre mund të penetrojë deri te centrifugat që gjenden në kompleks.
Sipas “Wall Street Journal”, pasi e kanë hequr këtë merak, perëndimorët kanë një atu shtesë në përpjekjet e tyre diplomatike për t’i dhënë fund programit nuklear iranian. Uashingtoni edhe më tej e privilegjon opsionin diplomatik në këtë dosje. “Ne urojmë të mos kemi kurrë nevojë për ta përdorur”, i ka deklaruar një zyrtar amerikan gazetës. “Mirëpo, nëse do të detyrohemi ta përdorim, atëherë bomba do të funksionojë”.
Bomba më e madhe konvencionale e Pentagonit
Javëve të fundit, shkruan gazeta ekonomike, zyrtarë amerikanë ua kanë treguar udhëheqësve politikë e ushtarakë izraelitë një video sekrete të armatës ajrore amerikane për një test të bërë me versionin e mëhershëm të kësaj bombe, kanë treguar diplomatë që kanë qenë të pranishëm. Sipas personave që e kanë parë videon, aty shihet bomba duke penetruar tokën pak centimetra larg shënjestrës dhe duke provokuar një detonim të madh nëntokësor.
Versionit të ri të kësaj MOP-e 15-tonëshe, bomba më e madhe konvencionale e Pentagonit, i janë shtuar disa elemente për të rritur në maksimum mundësitë e saj shpuese dhe në sistemin e teledirixhimit për ta përmirësuar saktësinë e saj. Siguresa e detonuesit është rregulluar enkas për t’u rezistuar tronditjeve të shkaktuara nga shtresat e granitit dhe të çelikut, të cilat e mbrojnë qendrën nukleare, kanë treguar zyrtarët. Kjo “super-bombë” ka edhe një pajisje të teknologjisë së lartë, e cila i mundëson t’u shmanget sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane.
Tani për tani, Pentagoni ka shpenzuar afro 330 milionë dollarë për të prodhuar njëzet bomba të këtij lloji dhe ka kërkuar financim shtesë për t’i bërë ato më efikase. Financimi është siguruar, shkruan “Wall Street Journal”, dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka shpenzuar më shumë se 400 milionë dollarë për këto bomba, të ndërtuara nga shoqëria “Boeing”, tregojnë zyrtarë qeveritarë.
Izraeli s’mund t’i asgjësojë qendrat nukleare iraniane
Shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësojnë se qendrat nukleare iraniane janë aq mirë të fortifikuara sa që ushtria izraelite nuk mund t’i asgjësojë. Edhe pse Izraeli mund të sigurojë MOP-ën e vet, gjë të cilën amerikanët nuk e preferojnë, sipas zyrtarëve amerikanë, vendi, pra Izraeli, nuk ka avion që do të mund ta bartte bombën deri në shënjestër. Megjithatë, Izraeli thotë se mund t’i shkaktojë dëme substanciale qendrës së Fordowit, gjë që e konfirmojnë agjencitë amerikane të zbulimit. Gjatë vizitës në Izrael, javën e kaluar, Chuck Hagel ka njoftuar edhe për një forcim në të ardhmen të kapaciteteve ushtarake të Izraelit.
Me zhvillimin e MOP-së së re, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se mundësitë janë më të pakta që Izraeli të hidhet njëanshëm në sulm kundër Iranit këtë vit e ndoshta edhe vitin e ardhshëm, shkruan “Wall Street Journal”. Kjo do t’i lërë më shumë kohë presidentit amerikan, Barack Obama, për të vazhduar përpjekjet diplomatike për të gjetur zgjidhje me regjimin e Teheranit pas zgjedhjeve të qershorit.
Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë siguruar homologët e tyre izraelitë gjatë javëve të fundit se administrata Obama do të studiojë të gjitha opsionet ushtarake kundër programit nuklear iranian pasi të shihet rezultati i këtyre zgjedhjeve dhe nëse do të ketë ndryshim qëndrimi në Teheran. Megjithatë, ndryshimi eventual në politikën iraniane nuk do të ndodhë pa kaluar disa muaj. Edhe pse Izraeli mbetet skeptik rreth vullnetit të administratës Obama për të sulmuar Fordowin dhe qendra të tjera nukleare iraniane, duket se do ta respektojë këtë kalendar, thonë zyrtarë amerikanë. (Le Monde)