Pajisjet mobile dhe aplikacionet e tyre mundësojnë disa shërbime praktike për përdoruesit që ndikojnë në përmirësimin e jetesës së tyre. Zhvillimet e fundit kanë treguar se përmirësimi I teknologjisë si dhe infrastrukturës për tregtinë dhe pagesat elektronike vitet e fundit kanë qenë në fokusin e vendit tonë.
M-Pay, një prej platformave më të fundit që ka për qëllim ofrimin e mundësisë për kryerjen e pagesave nga celulari kudo dhe në çdo moment ka vetëm disa javë që operon në Shqipëri.
Përdorimi i këtij shërbimi është me të vërtetë shumë i thjeshtë. Aktualisht është i disponueshëm për të gjithë abonentët e operatorëve celularë Vodafone Albania dhe Eagle Mobile të cilët disponojnë llogari bankare në Raiffeisen Bank ose Societe Generale Albania.
Aktivizimi i shërbimit mund të bëhet në çdo degë të bankave që përmendëm dhe pas regjistrimit është e mundur për përdoruesit që të rimbushin kreditin e celularit, të paguajnë fatura apo të kontrollojnë balancën e llogarisë bankare. Kjo menu e pasur mund të aksesohet nëpërmjet shtypjes së #777#.
Avantazhi kryesor i kësaj platfrome qëndron tek thjeshtësia. Thirrja e këtij kodi është e mundur për çdo model celulari, nuk është e nevojshme që përdoruesi të disponojë me patjetër një celular të teknologjisë më të fundit.