
Ish-drejtuesi i Al-Kaedes, Osama Bin Laden
Dokumenti, një letër adresuar Bin Ladenit në mars 2010, shkruar nga një prej drejtuesve më të lartë të organizatës terroriste, tregon se tunele, ura, diga, naftësjellës e gazsjellës nënujorë si dhe kabllo të internetit ishin midis objektivave.
Dokumenti, i cili mban firmën e një prej planifikuesve kryesorë operacionalë të Al-Kaedës, Younis al-Mauretani, argumentonte se goditja e këtyre objektivave “të lehtë” do të ishte më e efektshme dhe e dëmshme, se sa shënjestrimi i ndërtesave qeveritare apo tregtare, ku rrezikshmëria për t’u zbuluar do të ishte shumë më e lartë.
Dokumentat u zbulua gjatë sulmit që çoi në eliminimin fizik të Bin Ladenit, në banesën e tij. Departamenti Amerikan i Drejtësisë i bëri publike të mërkurën pasi dorëzoi dokumentin prej 17 faqesh tek autoritetet gjermane, të cilat do ta përdorin në një gjyq në vazhdim, pasi emri i një të pandehuri të një çështje terrorizmi është lakuar në korrespondencë.
Midis të tjerave, Al-Mauretani propozoi që Al-Kaeda të rekrutonte militantë në kompanitë e transportit, të karburanteve dhe të sektorëve të tjerë të ndjeshëm në perëndim, e të priste momentin e duhur për të goditur.
Ai rekomandoi që midis objektivave të përfshihen edhe metrotë, tunelet e nëndheshme, aeroportet apo paradat e komuniteteve LBGT.