1.3.13

Ja skemat e Mourinhos qe mposhten Barcen


Barcelona vuajti humbjen e 2-të brenda harkut kohor të një jave me Realin, që u kualifikua në finalen e kupës. Roura zgjodhi Pinton në vend të Valdesit titullar, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë këtij kompeticioni. Pjesa tjetër e skuadrës ishte ajo që luajti kundër Milanit me Fabregasin dhe Iniestën në formacion, pavarësisht se Vija shkëlqeu me Seviljen në fundjavë. Murinjo zgjodhi edhe një herë tjetër Varanen si partner të Ramosit në qendër të mbrojtjes, duke sakrifikuar Pepen. Siç pritej, Higuain startoi titullar. Reali e nxori jashtë loje Barcelonën. Forma e tyre në mbrojtje ishte e jashtëzakonshme, ndërsa kundërsulmet e tyre direkte dhe efikase, prandaj rezultati 3-1, nga ajo çka u pa në fushë, nuk është një surprizë dhe mund të kishte qenë edhe më i thellë.
Superiorë pa top
Në klasiket e shkuara, Reali ka bërë presion agresiv nga minuta e parë. Të martën ata e dominuan Barçën në 10 minutat e para, duke fituar zotërimin e topit shumë kollaj. Qasja e Realit në “Kamp Nou” në gjysmëfinalen e kthimit ishte më pak agresive. Ata ndoqën shembullin e Milanit, duke preferuar t’i bëjnë presion në mesfushë më shumë se sa t’i prisnin në mbrojtje. Rreziku nga një strategji e tillë është fakti se linjës së mbrojtjes i duhet të luajë shumë lart. Madrilenët u shkatërruan 5-0, pikërisht për shkak të këtij pozicionimi të mbrojtësve. Mesi vinte nga thellësia dhe pasonte te krahët që kishin hapësira pafund. Në këtë ndeshje kërcënimi ishte minimal nga katalanasit. Në radhë të parë, sepse Iniesta- Fabregas në të majtë kishin probleme. Në krahun tjetër Pedro ofronte shpejtësi dhe zgjuarsi në inkursionet e tij, por qëndronte shumë larg portës, duke mos qenë kërcënim për Lopezin. Ai depërtoi vetëm një herë mes mbrojtjes së “los blancos” (minuta e 2-të), kur krijoi një rast për Mesin.
Loja në mesfushë
Në teori strategjia në mesfushë ishte e njëjtë me atë të Milanit, për të mos thënë ekzakte. Milani luajti me një 4-3- 3, Reali me 4-2-3-1, çka do të thotë se pozicionimi i lojtarëve në fushë ishte i ndryshëm. Mirëpo, duke konsideruar se Milani (ashtu si Çelsi dhe Sëlltiku) shpesh mesfushorin e qendrës e avancojnë përpara atyre të krahut, nuk është se solli ndonjë ndryshim të madh. Reali ishte shumë i sigurt në vetvete, duke lejuar hapësira jo të vogla mes linjës së mesfushës dhe asaj të mbrojtjes, të bindur se asnjë katalanas nuk do të shëtiste në këtë hapësirë. Khedira kishte liri veprimi për të bërë presion në zonën e tij (kryesisht Fabregasin), i cili luajti më në thellësi në krahasim me Milanin. Ndërsa Alonso i qëndroi më pranë Ksavit, duke e detyruar të pasonte shpesh prapa. Mesi u përpoq të çante shpesh në këtë hapësirë, veçanërisht në krah të djathtë, por Ramosi i afrohej menjëherë, duke i mbyllur hapësirat dhe e nxjerrë Varanen të lirë.
Pozicionimi i Alonsos
Ksabi meriton një pjesë të madhe të këtij suksesi. Ai ka vuajtur në shumë klasike, sepse ai nuk është një shkatërrues i mirëfilltë dhe nuk dilte në lojën e tij gjatë presingut të Barçës. Për një mesfushor krijues me kaq elegancë të tilla ndeshje e vënë në shumë vështirësi, porse kjo nuk ndodhi kësaj radhe. Ai u pozicionua me shumë zgjuarsi përpara linjës së mbrojtjes, duke penguar topin të shkonte në këmbët e Mesit. Ishte vigjilent edhe ndaj rrezikut të Ksavit, gjithnjë përpara tij për t’i bërë presion. Kur Ksavi pasonte, Alonso dilte lehtësisht përpara Mesit. Liria e tij për t’u zhvendosur vertikalisht buronte nga vullneti i Realit për t’i lejuar hapësirë përpara mbrojtjes. Kur Reali u mund 5-0 në “Kamp Nou”, Alonso kishte urdhër të qëndronte pranë Ozilit dhe kur iu ngarkua përgjegjësia për të ndalur Ksavin, ishte shumë vonë, sepse mesfushori katalanas e kishte lënë pas: kjo çlironte Mesin. Taktika e së martës, pas kaq shumë eksperiencash me Barcelonën, funksionoi si një sahat. Thelbësor ishte edhe komunikimi i tij me shokët e skuadrës. Gjatë 15- 20 minutave të para, po të përqendrohesh vetëm tek Alonso dhe lëvizja e tij taktike, ai nuk rresht së këshilluari qendërmbrojtësit. Kjo ishte kaq e rëndësishme, për shkak se Varane është një lojtar i ri dhe luante për herë të parë në “Kamp Nou”. Për të kuptuar dominimin e Ksabit ishte rasti i golit të parë, kur gjatë kundërsulmit Alonso ia rrëmbeu topin Ksavit në zonë.
Krahët
Di Maria u pozicionua më në thellësi sesa Ronaldo. Portugezi ishte lojtari më i avancuar i Realit, sepse Hordi Alba luan më tepër i avancuar sesa Dani Alvesh dhe Di Maria është më pozicional në mbrojtje. Më parë Murinjo ka qenë i detyruar të shkëmbejë Ronaldon me Di Marian, për t’i lejuar argjentinasit të ndalë Alveshin, por duke e detyruar Kristianon të dalë nga pozicioni i tij i preferuar. Kjo s’është më e nevojshme. Lufta e Ronaldos me Alveshin është gjithnjë kyçi i klasikes. Në fillim të ndeshjes braziliani e la pas Ronaldon duke hedhur një krosim në zonë dhe, kur kjo ndodhi, e vuri në vështirësi të madhe Realin.
Kundërsulmet
Pse Ronaldo kishte kaq shumë shanse? Përse gjendej shpesh i vetëm përpara Alveshit, por edhe qendërmbrojtësve? Duke marrë parasysh se kundërsulmi është arma më e fortë e Realit, dikujt mund t’i jetë dukur surprizë që Barça ishte kaq e ekspozuar. Por në çmarkimet e Ronaldos kishin një kontribut të madh Higuain dhe Ozil. Argjentinasi ndoshta nuk bëri një ndeshje të shkëlqyer, por Murinjo e kishte urdhëruar të qëndronte në të djathtë, për të tërhequr qendërmbrojtësit pas tij dhe krijuar hapësirë për Ronaldon. Ozil nuk ra shumë në sy, por në çdo prekje të topit bëri lëvizje të zgjuara. Lëvizja Ozil-Higuain në aksionin që solli penalltinë ishte e kalkuluar. Topi i Ozilit mbi Busketsin dhe pasimi i Higuainit për Ronaldon mund të duket i thjeshtë teknikisht, por tregoi se sa mirë kuptohet skuadra kur niset në kundërsulm. Topi duhet pasuar sa më shpejt që të jetë e mundur për të çorientuar lojtarët kundërshtarë. Roura nuk mësoi nga gabimi me Milanin (Fabregas- Iniesta në të majtë). Iniesta qëndroi më pranë vijës anësore, ndërsa Cesk u spostua më në qendër. Mirëpo, gjatë aksioneve, ata përplaseshin shpesh në trajektoret e njëri-tjetrit. Iniesta nuk del dot në lojën e tij kur ka Fabregasin në të majtë. Një problem i tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë me Pep Guardiolën në stol. Ish-trajneri këmbëngulte gjithnjë gjatë sulmeve në stërvitje se lojtarët taktikisht duhet të mbulonin çdo hapësirë në fushë dhe, kur një kundërshtar të të gjendej përballë në zonë, atëherë lojtari tjetër duhet të ishte spostuar në krah të kundërt. Vija i nevojitej dëshpërimisht skuadrës në të majtë, jo më kot Mesi tha pas ndeshjes me Seviljen: “Me Vijën pykë në pjesën e dytë, stoperat e Seviljes nuk mund të dilnin përpara, çka më lejoji më shumë hapësira”. Argjentinasi nuk shkon fort mirë me Vijën, por në fushë ia ndjen jo pak mungesën. Pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë në lojë. Pasime të gabuara të Barçës dhe kundërsulme të rrezikshme të Realit, nga i cili buroi edhe goli i dytë (57?). Vija hyn në fushë për Fabregas, por nga një goditje këndi Varane bën 3-0, duke e bërë të pamundur shënimin e 4 golave.
- See more at: http://fishmedia.info/sport/ja-si-e-mposhti-reali-barcelonen/#sthash.wdLN4WSl.dpuf