2.3.13

I ngacmoi motrën, e mbyt me kaçavide 24- vjeçarin


Policia-e-Shqiperise
Një 24 vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin ushtarak pas plagëve të forta që ka marrë në një përleshje me një 17-vjeçar. Krimi i rëndë është shënuar në Institutin Bujqësor të Kamzës, brenda rrethimit të godinave, ndërsa mjekët e spitalit nuk kanë mundur ta mbajnë në jetë të riun edhe pse ka shkuar gjallë në spital.
Referuar të dhënave të para u mësua se 24-vjeçari kishte humbur shumë gjak, ndërsa goditjet fatale për jetën i janë dhënë me kaçavidë. Autori i sulmit, pasi është vënë në pranga, ka treguar arsyen pse e sulmoi për vdekje të riun. Policia e Komisariatit nr. 5 ka zbardhur shpejt ngjarjen, por fatkeqësisht i plagosuri ka humbur jetën.
Ngjarja
Policia e Kamzës është sinjalizuar se në ambientet e brendshme të godinave të Institutit Bujqësor ka një sherr mes të rinjsh. Ndërkohë që janë nisur efektivët e parë mësohet se i plagosuri Elson Fjerza është dërguar menjëherë për në spital, ndërsa personi që e kishte qëlluar ka shkuar në shtëpi, pasi banonte vetëm pak metra larg vendit të krimit. Marrja e dëshmive të para në vendin e ngjarjes kanë treguar se Elsonin, 24 vjeç, me origjinë nga Kurbini e kishte qëlluar Emiliano Dautlliu. Policia ka shkuar në banesën e të dyshuarit. Dautlliu, vetëm 17 vjeç ka pranuar menjëherë para bluve të Komisariatit nr. 5 autorësinë, ndërsa rrethanat e krimit i ka qartësuar në ambientet policore. Ndërsa policia dokumentonte dëshminë e të miturit që kishte qëlluar të riun, 7 vjet më të madh se veten, mjekët e spitalit ushtarak kanë dhënë lajmin e hidhur se Elsoni nuk kishte mundur të mbijetonte. Burimet nga ky komisariat bënë të ditur se përleshja ka ndodhur rreth orës 13. 00, ndërsa i plagosuri ka ndërruar jetë rreth një orë më vonë, raporton shekulli.
Dëshmia e autorit
Elsoni prej ditësh më ngacmonte motrën time. Para dy ditësh dola dhe u mora vesh me të në Institut me idenë që ajo gjë nuk do të ndodhte më. Por me sa duket ai më shikonte se unë isha rom dhe tentoi edhe të më godiste ditën që u ballafaquam për të mos ma ngacmuar më motrën. Ai kishte vijuar ta ngacmonte prapë time motër dhe unë nuk e durova dot më, mora një kaçavidë dhe e gjuajta. Nuk e kam gjuajtur me thikë por me kaçavidë”. Kjo ka qenë dëshmia e 17-vjeçarit rom të dhënë para oficerëve për momentet e përballjes me të riun nga Laçi, i cili jetonte me qira me babain dhe vëllanë e tij më të vogël afër agresorit që dje i mori edhe jetën.