Mijëra shqiptarë nga trevat e ndryshme të Maqedonisë festuan sonte (e diel) në Shkup 100 vjetorin e pavarësisë.
Në ceremoninë festive kanë marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nën shoqërimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Në këtë ceremoni kanë munguar liderët e dy partive tjera shqiptare, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani, ndërsa ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi, lideri i LSI-së Ilir Meta, si dhe Rifat Jashari nga familja e Jasharajve nga Prekazi i Drenicës.
Në nisje të fjalës së tij, kryeministri i Kosovës përkujtoi të rënët në luftën e Çlirimit të Kosovës, si shenjë nderimi në këtë 100-vjetor, ndërsa e quajti Shkupin kryeqyteti i vilajetit të Kosovës. Për Thaçin, ky 100-vjetor i gjen shqiptarët me dy shtete në rajon, si askush tjetër.
“Sot duhet të kujtojmë vetëm ku ishim para 13 vitesh, Shqipëria në tranzicion, Kosova e pushtuar, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, në Presheve edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për të drejtat e tyre. Por, mrekullia ndodhi nga shpresa, besimi ynë, lindi UÇK që largoi njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova që sot e kemi të lirë, të pavarur dhe sovrane. Mrekullia e UÇK-së erdhi jo vetëm me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës; pati mbështetje nga gjithë shqiptarët kudo që jetonin. Shqipëria përparoi edhe më shumë - sot e kemi në NATO. Shqiptarët si asnjë komb në rajon i kanë dy shtete Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja na tregon se ne duhet të jetojmë në një hapësirë unike si një komb i vetëm. Do jetojmë në një hapësirë të përbashkët e të integruar”, tha ai, transmeton "Express".
Duke iu drejtuar Ali Ahmetit, Thaçi tha se Kosova do jetë gardiani i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, pasi edhe ata e kanë ndihmuar Kosovën për të qënë e lirë.
Kryeministri Sali Berisha tha se ndjehet i lumtur që shqiptarët po festojnë bashkërisht këtë shekull të pavarësisë së shtetit shqiptar.
“Shekulli që lamë mbrapa ishte shekulli i një kaluari, ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë jetike, dy të tretat e trojeve tona na u ndanë me padrejtësi. Sot lavdi zotit dhe armëve tona, ndjehuni të lirë, festojmë të bashkuar, të sigurt drejt së ardhmes sonë. Sot pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qenë krenarë me njëri-tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja”, deklaroi kryeministri Berisha, transmeton INA.
Për kryeministrin e Shqipërisë ky 100-vjetor na fton të realizojmë një ëndërr, atë të bashkimit kombëtar, siç tha ai, ndërsa u shpreh i lumtur që festimet e nisura në Shkup, do vijojnë në Prishtinë e më pas në Vlorë e Tiranë.
“Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësitë, nuk pranojmë shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe bëmë një rezistencë legjendare: UÇK-të do zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Evropë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politikë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, ky 100-vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë të bëjmë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan për liri dhe dinjitet kombëtar.
“Këtu nga Shkupi i bëj thirrje shqiptarëve, të punojnë çdo minutë, orë, muaj, vit për bashkimin e tyre. Iu bëj thirrje fëmijëve tanë, fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve, ta bëheni më të lirë, më të drejtë, se shqiptarët janë të gatshëm për bashkëpunim, shqiptarët e lirë janë forcë zhvillimi për veten dhe rajonin. Askush të mos druhet dhe askush të mos hidhërohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin. Nën moton të bashkohemi me Evropën, të bashkohemi me njëri-tjetrin, ti përqendrojmë forcat tona”, tha Berisha.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Evropës, pasi bazohet në respekt.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij theksoi se është i përkushtuar për të punuar bashkërisht për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, duke bashkëjetuar me maqedonasit dhe duke respektuar të gjitha komunitetet etnike.
Ai ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 100 vjetorit, duke thirrur për unitet dhe bashkëveprim më të ngushtë.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni jetojnë bashkërisht me maqedonasit dhe “ne respektojmë këta bashkëqytetar, ashtu siç i respektojmë edhe të gjitha komunitetet e tjera etnike në Maqedoni”.
“Ashtu edhe ne mund të presim që të jemi të respektuar. Ashtu ndërtohet stabiliteti në Ballkan, ashtu mund të ndërtojmë paqen dhe bashkërisht të shkojmë në BE dhe NATO. Po punojmë për të tejkaluar armiqësitë tona historike. Nëse kanë mundur të tejkalojnë këto francezët dhe gjermanët, mundet ti tejkalojmë edhe ne në Ballkan”, ka theksuar Ahmeti.