Prej disa ditësh IFFHS (International Federation of Football History & Statistics), Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit, në faqen e saj zyrtare të internetin hapi votimin për futbollistët më popullor, të ndarë sipas konfederatave dhe shteteve. Në pjesën europiane Shqipëria merrte pjesë me kapitenin Lorik Cana, i cili rezulton si futbollisti i tretë më i votuar në Europë. Për sa i përket sektorit europian, lojtari më popullor rezulton armeni Henrikh Mkhitaryan, i cili luan në Ukrainë me Shakhtar Donetsk, me 50 310 vota. I dyti vjen boshnjaku i Mançester Sitit, Edin Xheko, me 30 603 vota, ndërsa kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, që aktivizohet me Lacion, ka zënë vendin e tretë me 13 975 vota dhe pas tij në vend të katër vjen kapiteni legjendar i Romës, Françesko Toti, me 13 348 vota. Cana është më mirë edhe se Kristiano Ronaldo, që ndodhet në vendin e pestë, pas Totit. Në këtë votim në faqen on-line të IFFHS kanë marrë pjesë 471 683 votues, vota të cilat janë shpërndarë sipas konfederatave dhe lojtarëve pjesëmarrës në listën e të përzgjedhurëve. Sipas pasqyrës së votimit, del se iraniani Mehdi Mahdavikia është lojtari më popullor, pasi ka marrë 80 526 vota, ndërsa ylli i futbollit botëror Lionel Mesi, që po thyen çdo rekord trofesh, ka marrë vetëm 6 365 vota. Ajo që vihet re, është se në top-listën e 10 futbollistëve më popullorë në botë, pjesën më të madhe e zënë arabët, kemi dy ballkanas, një armen dhe një kolumbian, Falkaon. Lorik Cana renditet i 10-ti, duke qenë në këtë top-listë, sërish një pozicion më mirë se Toti i Romës,transmeton tema.
Të dielën, në orën 15:00, zhvillohet derbi i kryeqytetit italian, Lacio-Roma, një nga derbet më të nxehta jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë. Kapiteni i kombëtares shqiptare mendohet se do të jetë titullar në këtë derbi roman, ku gjasat janë që Lorik Cana të pozicionohet në qendër të mbrojtjes. Nëse ndodh kjo, i bie që Lorik Canës të ketë mjaft punë me kapitenin e Romës, Françesko Toti. Për tifozët e dy ekipeve pak rëndësi ka paraqitja sezonale, përballë ballafaqimit në derbi. Prandaj Lorik Cana, nëse ia del që të ndal legjendën e Romës, kapitenin Toti, atëherë ai gjen një vend të veçantë te tifozët lacialë. Duke parë rezultatet e votimit të IFFHS për futbollistin më popullor, i bie që kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, e ka fituar duelin e parë me kapitenin e Romës, Françesko Toti. Të shohim tani çfarë do të ndodhë në fushën e lojës, ku një ditë më parë Cana është projektuar si titullar në derbi, ashtu siç luajti në ndeshjen e fundit të Ligës së Europës me Lacion, ku bëri një paraqitje mjaft të mirë dhe ekipi lacial fitoi bindshëm, 3-0 kundër Panathinaikosit.
Renditja e futbollistëve më popullorë në Europë
1. Henrikh Mkhitaryan Armenia Shakhtar D. 50.310
2. Edin Xheko Bosnjë Mançester Sity 30.603
3. LORIK CANA Shqipëri Lacio Romë 13.975
4. Françesko Toti Itali Roma 13.348
5. Kristiano Ronaldo Portugali Real Madrid 7.749
6. Yevhen O. Konoplyanka Ukrainë Dnipro 4.810
7. Miroslav Klose Gjermani Lacio 3.579
8. Aleksandro Del Piero Itali Sydnej 2.837
9. Andrij Jarmolenko Ukrainë Dinamo Kiev 2.563
10. Iker Kasijas Spanjë Real Madrid 2.349
Renditja e futbollistëve më popullorë në botë
1. Mehdi Mahdavikia Iran Persepolis 80.526
2. Henrikh Mkhitaryan Armenia Shakhtar D. 50.310
3. Mohamed Aboutreika Egypt Al-Ahly 34.043
4. Seyed Mehdi Rahmati Iran Esteghlal 31.551
5. Edin Džeko Bosnjë Mançester City 30.603
6. Nadir Lamyaghri Marok Ëydad 24.977
7. Sofiane Feghouli Algjeri Valencia 21.869
8. Radamel Falcao Kolumbi Atl.Madrid 15.237
9. Mohamed Nour Arabia Saudite Al-Ittihad 14.377
10. LORIK CANA Shqipëri Lazio Roma 13.975