Facebook-u është duke bërë përditësimin e një dizajni të ri të Qendrës për Ndihmë, me qëllimin për ta bërë më të lehtë për përdoruesit gjetjen e informacionit që atyre iu nevojitet dhe të marrin përgjigje për pyetjet e tyre rreth produkteve dhe politikave të rrjetit shoqëror.
Përditësimi përfshin një ndërfaqe dhe dizajn të ri për ballinën e Qendrës së Ndihmës, ku ka një navigim të përmirësuar dhe shtim të një liste me pyetjet më të popullarizuara dhe top faqet në Facebook të cilat përdoruesit mund t’i pëlqejnë në mënyrë që të jenë të përditësuar me temat dhe këshillat e ndryshme.
Ndërmarrja lajmëroi gjithashtu që një tjetër pajisje e saj, Paneli për Mbështetje, tani është në dispozicion për 100% të përdoruesve të rrjetit Facebook nga e mbarë bota. Ndryshimi më i dukshëm që vihet re në Qendrën për Ndihmë është ndërfaqja e thjeshtëzuar, që tani ofron gjashtë fusha me tema që mundësojnë bartjen e përdoruesve tek seksionet e veçanta të qendrës.
Ajo se çfarë është interesante për dizajnin është që temat e paraqitura për përdoruesit tani janë personalizuar duke u bazuar në atë se si e përdorin rrjetin Facebook.
Për shembull, përdoruesit që nuk janë qasur do të drejtohen tek seksionet rreth krijimit të llogarive ose ndryshimit të fjalëkalimit të tyre.
Temat e tjera të paraqitura këtu mund të përfshijnë sugjerime si: “mësoni bazat e privatësisë”, që i dërgon përdoruesit tek informacioni se si funksionon shpërndarja dhe kontrolli në Facebook, ose të “shohim se çfarë ka të re në Facebook”, që të drejton tek veçoritë dhe produktet e rrjetit shoqëror.
Facebook-u raportoi gjithashtu që ndryshimi i Panelit për Mbështetje ka mbaruar dhe 100% e bazës së përdoruesve të Facebook-ut duhet të kenë qasje.
Në prill, Facebook-u së pari lëshoi këtë Panel për Mbështetje, duke ua mundësuar përdoruesve që të ndjekin nëse raporti i tyre është vëzhguar, apo nëse përmbajtjet ofenduese që ata kanë raportuar kanë mbetur apo janë larguar dhe pse është marrë vendimi.
Facebook-u dërgon po ashtu njoftime tek përdoruesit kur statusi i raportit të paraqitur nga ata ndryshon. Lidhja për Panelin për Mbështetje paraqitet në “Opsionet e Llogarisë” duke ndjekur raportin e tyre fillestar.
Facebook-u, që tani ka më tepër se 900 milionë përdorues aktivë mujor, është sfiduar në adresimin e pyetjeve, shqetësimeve dhe nevojave të tjera për mbështetje nga një audiencë kaq e gjerë. Megjithëse ndryshimet e fundit duken të jenë të vogla, ato janë të përqendruara në bërjen më pak bezdisës qëndrimin e përdoruesve në Facebook, nga vetë ky produkt si dhe nga politikat e ndryshme, duke iu treguar përdoruesve më mirë për burimet në bazë të të cilave ata mund ta kuptojnë nëse pyetjet e tyre marrin përgjigje me lehtësi.
Përdoruesit, nevojat e të cilëve adresohen do të jenë më besnikë dhe me shumë gjasa do të shpenzojnë kohë në Facebook. Për më tepër, Paneli për Mbështetje iu ofron përdoruesve ndjenjën që Facebook-u është duke dëgjuar dhe duke u kujdesur për të bërë zgjidhjen e problemeve të tyre.