Sipas Kim Dotcom, i cili është themeluesi i shërbimit MegaUpload, rikthimi i faqes është afër.
“Përditësim i shpejtë për një faqe të re: Kodi 90% i kryer,”- tha së fundi Dotcom në Twitter. “Serverët, avokatët, bashkëpunëtorët dhe investitorët janë gati. Bëheni të durueshëm. Është duke ardhur.”
Shërbimi i famshëm online i Dotcomit për shpërndarje të skedarëve u ndalua në janar të këtij viti, pas dyshimeve për shkelje të të drejtave të autorit, akuza këto të ngritur kundër MegaUpload-it nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dotcom ka lënë të kuptohet për disa muaj në Twitter që një version i ri i faqes së tij të famshme është duke u bërë gati. “MEGA do të rikthehet. Më i madh. Më i mirë. Më i shpejtë. I lirë nga ngarkesa dhe i mbrojtur nga sulmet,” -tha Dotcom gjatë muajit korrik.
Ai pas disa javësh erdhi me një premtim që faqja që do të rihapet dhe do të jetë “100 për qind e sigurtë dhe e pandalshme”.
Dotcom e ka quajtur veten si një revolucionar, që kur humbi ndërmarrjen e tij dhe u ballafaqua me ekstradim nga Zelanda e Re në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për shantazh, shkelje të të drejtave të autorit, pastrim parash dhe akuza të tjera.
Themeluesi i MegaUploader madje ka lëshuar një video muzikë duke iu bërë thirrje njerëzve që t’i bashkohen atij për të mposhtur qeveritë botërore dhe interesat e ndërmarrjeve që janë duke u përpjekur që ta kontrollojnë internetin.